Nuk dihet shuma e grabitur e parave

Nuk dihet shuma e grabitur e parave

Një bankë e nivelit të dytë ka rënë pre e grabitjes me armë dhe maska të premten pasdite në qendër të qytetit të Laçit.

Burimet nga policia thanë se persona ende të paidentifikuar nën kërcënimin e armës dhe të maskuar, pasi kanë thyer xhamin e njësisë së Bankës, kanë marrë një sasi parash të cilat ishin në përpunim nga punonjësit e bankës dhe janë larguar me një automjet.

Paraprakisht mësohet se nuk ka persona të lënduar. Nuk dihet ende shuma e grabitur e parave.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe vijon krehja e zonës për kapjen dhe arrestimin e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.