Policisë së Kosovës, pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve të suksesshme iu shtuan 127 togerë, të cilët u graduan sot përmes një ceremonie virtuale, në të cilën morën pjesë menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës dhe vet zyrtarët e graduar.

Ceremonia virtuale u udhëhoq nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

Ai u shpreh se procesi i gradimit është thelbësor në zhvillimin e kuadrove të  reja dhe në avancimin e vazhdueshëm të stafit policorë, me qëllim që t’u ipet mundësia që këto aftësi profesionale të shndërrohen në përformancë efektive.

“Nga ky moment i gradimit, ju do të jeni mbikëqyrës të vijës së mesme menaxhuese dhe do të merrni përgjegjësi për menaxhimin, udhëheqjen, mbikëqyrjen, trajnimin, këshillimin dhe disiplinën e të gjithë punonjësve të cilët do të jenë nën mbikëqyrjen tuaj. Arritja e synimeve tuaja dhe ngritja në karrierë, juve ju shton vlerë dhe privilegj, por në të njëjtën kohë pritjet që organizata ka nga ju, janë të mëdha dhe unë jam i sigurt që ju do të punoni me përkushtim dhe do të jeni në nivel të detyrës çdo herë dhe në çdo kohë.”, tha Mehmeti.

Mehmeti u shpreh i bindur që togerët kanë shtuar njohuritë rreth mbikëqyrjes gjatë periudhës trajnuese në Akademi.

“Besoj se ju do ta keni vullnetin dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve tanë, me nder, korrektësi, transparencë dhe paanshmëri. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e menaxhmentit, sfidat dhe vizionin e Policisë së Kosovës, ju ftoj të gjithë juve, që të tregoheni personalisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veprimet tuaja, duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve të zbatimit të ligjit dhe profesionalizmit në  kryerje të të gjitha detyrave që do të ngarkoheni.”, u shpreh tutje ai./21Media