Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ndarë kontrata të granteve start-up, për 167 përfituesit të rinj.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi ka thënë se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, por edhe do të ndikojë në frenimin e largimit të të rinjve nga Kosova. Po ashtu ka thënë se përmes këtyre start-up, këtyre të rinjve do t’iu ofrohet mundësi shkollimi dhe punësimi.

“Jemi ardh që të ju falënderojmë dhe të ju urojmë për këtë punë. Sot Kosova ka liderë të rinj, 167 liderë të cilët do të hapin ndërmarrjet e tyre, dhe kjo faktikisht do të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Ne në këtë pjesë e kemi financuar me dedikimin për ju duke menduar se ju të rinjtë e Kosovës, ju jeni e ardhmja, dhe e sotmja, dhe ne ju duam juve këtu në Kosovë me ju pas dhe me ju ofruar mundësi të përparimit dhe shkollimit por edhe të punësimit”, ka thënë Dumoshi.

Dumoshi ka thënë se për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro, ndërsa ka shtuar se pavarësisht kohës së pandemisë, interesimi për të aplikuar ka qenë i madh.

“Ne në këtë projekt kemi investuar 1 milion euro dhe ky projekt ka qenë befasi e mirë sepse kemi munduar që do t’i vetëm 400 veta. Edhe pse kohë pandemie interesimi ka qenë shumë i madh, afër 1255 të rinjtë i kemi marrë në gjirin e trajnimeve”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa ka thënë se në projekt janë përfshirë edhe komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë, ku një numër i tyre ka qenë edhe fitues i këtij projekti.

“Ky projekt ka pasur edhe rendësi tjetër, ku i ka përfshirë edhe komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë…të cilët 50 veta kanë qenë përfitues të trajnimit dhe falënderoj edhe zotriun që ka luajtur një rol të rëndësishëm të komunës së Ranillukut”, ka thënë Dumoshi.

Dumoshi ka thënë se Ministria e Kulturës ka bërë marrëveshje edhe me UNDP-në, për punësimin e të rinjve gjashtë muaj në sektorin privat dhe OJQ-ve të ndryshme, ku edhe ka ftuar të rinjtë që të marrin pjesë në këtë projekt, por edhe punësimeve në organizata të të rinjve.