Gratë që lindin në burgje ndahen nga foshnjat pas 18 muajsh

Ka fëmijë në Kosovë që kanë filluar jetën në burgje, pasi që nënat e tyre kanë qenë në vuajtje të dënimit, mirëpo në 5 vjetët e fundit nuk ka pasur asnjë rast të tillë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), për portalin rtv21.tv ka treguar se a ka aktualisht gra shtatzëna në burgjet e Kosovës dhe cilat janë kushtet për këtë kategori brenda katër mureve.
“Po kemi pasur raste, kur një e dënuar ka lindur gjatë mbajtjes në institucion korrektues. Gjatë 5 viteve të fundit nuk kemi pasë asnjë rast”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Po ashtu, SHKK i ka thënë portalit rtv21.tv se edhe aktualisht në Qendren Korrektuese për Femra në Lipjan nuk ka asnjë të burgosur shtatzëne.
Në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka një hapësirë të veçantë ku vendosen gratë shtatzëna dhe gratë me fëmijë, të cilat kanë të drejtë të mbajnë afër fëmijët deri sa ata t’i mbushin 18 muaj.
“Në Qendra Korrektuese në Lipjan ekziston edhe Pavijoni i veçantë për të burgosurat shtatzëna. Fëmija me nënën qendron deri në moshën 18 muaj, mbas moshës 18 muajshe nëna vendos me pëlqimin e saj se kujt dëshiron t’i jap nën përkujdesje fëmijën”, ka thënë SHKK-ja për rtv21.tv.
Por, procesi i lindjes nuk mund të kryhet brenda hapësirave të burgut. Sipas SHKK-së, gratë e dënuara, dërgohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Repartin e Gjinekologjisë për të lindur.
Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) për portalin rtv21.tv ka vlerësuar se gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë në burgjet e Kosovës i kanë të gjitha kushtet e nevojshme.
“Në burgjet e Kosovës përkatësisht në Qendrën Korrektuese për Femra ka qenë një dhomë e veçantë për femra shtatzëna, por se nuk ka pasur asnjëherë probleme me trajtimin e tyre. Aty i kanë pasur të gjitha kushtet e nevojshme, dhoma, krevati për bebe, lodra, kuzhinë dhe kanë qenë të veçuara prej femrave tjera. Edhe ushqimi i është përshtatur nevojave të lehonave. Këto raste janë shumë të rralla. Po, kujdesi ka qene korrekt”, ka thënë Behxhet Shala, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNj-së
Pas ndarjes nga fëmija, nëna ka të drejtë të vizitohet ashtu siç e parasheh rendi shtëpiak.
“Për vizita të fëmijëve vendos Gjykata, ndërsa nëse gruaja është e ndarë nga burri, vizitat realizohen përmes Qendrave Komunale për punë sociale që i sjellin fëmijët në vizitë deri në moshën madhore. Edhe familja i sjell fëmijet në vizita dhe vizitat realizohen ashtu si e parasheh rendi shtëpiak”, ka thënë Shala.
Megjithatë, ka edhe ankesa. Sipas drejtorit të KMLDNj-së, Behxhet Shala ankesat janë kryesisht se kërkojnë me shumë vizita apo te shtetasit e huaj që kanë probleme në realizimin e vizitave. Por, Shërbimi Korrektues i Kosovës sipas KMDLNj-së nuk i pengon në asnjë rast këto vizita dhe në raste të caktuara festive lejon vizita shtesë.
Megjithkëtë, drejtori ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala për portalin rtv21.tv ka thënë se duhet të punohet më shumë me të mitur dhe gra.
“Duhet të ketë oficere korrektuese te specialuzuara te punojne me femra si dhe me te mitur. Duhet te rritet numri i psikolegëve, punetorëve social dhe edukatorëve. Gjithashtu duhet të ketë kujdes shtesë për grupet e margjinalizuara si të burgosur me nevoja të veçanta, përdorues dhe vartës të narkotikëve, shtetas të huaj, të sëmurë me diagnoza terciare dhe persona të moshuar”, ka thënë tutje Shala.
Rreth 40 gra janë privuar nga liria, për shkak se kanë kryer vepra të ndryshme penale dhe për të cilat tani po vuajnë dënimet në burgjet e vendit./21Media

Back to top button