Emisari i posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i ka reaguar mediumit prestigjioz New York Times lidhur me një artikull në të cilin ajo shkruan se Shtëpia e Bardhë kishte planifikuar t’i priste presidentin e Serbisë, dhe atë të Kosovës, të shtunën. Pastaj, udhëheqësi i Kosovës u akuzua për krime lufte.

“SHBA’ja shtyn samitin për paqe në Ballkan, merr goditje politika e jashtme e Trumpit”, titullohet artikulli i prestigjiozes rreth takimit mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte planifikuar për 27 qershor, në Washington.

Kurse Grenell u përgjigj se reporteri asnjëherë s’ka biseduar me të.

“Shumë gabime rreth kësaj cështje. Nuk cuditem… reporteri asnjëherë nuk ka biseduar me mua. Qëllimi ynë gjithmonë kishte të bëjë me vende pune dhe ekonomi. Asnjëherë nuk kemi besuar se kjo do të ishte një fitore e shpejtë (një narrativë e mediave totalisht e gabuar dhe pa asnjë fakt), shkroi Grenell.

Më tej Grenell u shpreh se shkëmbimi i territoreve asnjëherë s’është diskutuar.

“Shkëmbimi i territoreve asnjëherë nuk është diskutuar para meje. Nuk do të përfshihemi në qasje politike në mes Kosovës dhe Serbisë. Do të koordinohemi më këdo që është përgjegjës”, shkroi ai mes tjerash./21Media