Grenell kërkoi sërish që taksa e vendosur nga Kosova të hiqet

Grenell kërkoi sërish që taksa e vendosur nga Kosova të hiqet

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell sot tha se është impresionuar me qytetin e Beogradit, në një konferencë ku u paraqit bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, ku theksoi sërish që taksa e vendosur nga Kosova duhet të hiqet dhe se Serbia duhet ta ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Grenell përsëriti qëndrimet e tij, sikurse në Prishtinë se është i interesuar që të shoh zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune për të rinjtë në Serbi dhe Kosovë.

“Dua t’ia filloj duke thënë se presidenti Trump është jashtëzakonisht krenar me ekonominë amerikane. Unë do t’ua lë politikën të gjithën juve. Jam i fokusuar në ekonomi dhe punësime”, tha ambasadori Grenell.

Ai tha se nuk ka sjell asnjë agjendë se çfarë duhet të bëhet në aspektin politik.

“Nuk kam ndonjë agjendë apo ide se çfarë duhet të bëni ju. Nuk do të ju shtyjë  në ide specifike, por do t’ju shtyjë në atë që të ndihmoni rritjen ekonomike. Po mundohem të shtyjë të dyja anët bashkë në atë se duhet krijuar më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë”, theksoi ai.

Sipas Grenell, të rinjtë e Serbisë dhe të Kosovës po mundohen të gjejnë rrugë që të jetojnë në vendet e tyre.

“Të krijojnë familje, të kenë shpresë dhe të kenë situatën për të mos u larguar nga këtu”, shtoi ai.

Diplomatit mes tjerash i la përshtypje numri i madh i medieve në sallën e konferencave në Qeverinë e Serbisë.

“Është e mrekullueshme të jem sërish në Beograd. Beogradi është një qytet i mahnitshëm. Kemi kaluar kohë shumë të mirë mbrëmë në qytetin tuaj. Po sjell përshëndetje nga presidenti Trump, i cili mendoj se do të ishte shumë i impresionuar me numrin e kamerave që keni tani në këtë sallë. Asnjëherë s’kam parë kaq shumë kamera [gazetarë]. Ju faleminderit”, tha Grenell.

Ai foli edhe për kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

“E vlerësoj shumë edhe përkrahjen e kryeministres suaj Ana [Bërnabiq], e cila e di që mbrëmë ka pasur një takim me Ivanka Trump”, tha ai./kallxo.com