Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilluan të premten një bisedë telefonike, gjatë së cilës diskutuan për ndikimin e pandemisë së COVID-19, njoftoi zyra e kryeministrit grek.

Greqia dhe Turqia komunikojnë shumë rrallë, për shkak se kanë kundërshtime për një sërë çështjesh dypalëshe.

Erdogan dhe Mitsotakis adresuan mënyrat për të trajtuar efektet e shpërthimit të koronavirusit, rihapjes së kufijve dhe turizmit, thuhet në një deklaratë nga zyra e Mitsotakis.

“Mitsotakis dhe Erdogan u pajtuan të mbajnë kanalet bilaterale të komunikimit”, u tha në njoftim.

Një burim, i tha agjencisë Reuters se “të dy udhëheqësit nuk diskutuan çështjet politike, por ata ranë dakord se tensionet mes dy vendeve janë të larta dhe se kanalet e komunikimit duhet të rikthehen”.

Mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Greqisë kanë të bëjnë kryesisht për të drejtat e hapësirës ajrore, kufijtë detarë, migrantët dhe Qipron e ndarë etnikisht./Rel