Bashkimi Evropian vihet në përkrahje të Greqisë

Bashkimi Evropian vihet në përkrahje të Greqisë

Sot në mëngjes, forcat greke përdorën gazin lotsjellës për të zmbrapsur turmat e migrantëve që po provonin të kalonin kufirin me Greqinë.

Turqia ka thënë se kufijtë e saj janë të hapur, për migrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian.

Një zyrtar i Qeverisë turke ka deklaruar më 27 shkurt, se Turqia nuk do të ndalojë qindra mijëra migrantë, pas sulmeve ajrore në Idlib, ku u vranë dhjetëra ushtarë turq.

Mbi 3.5 milionë refugjatë nga Siria dhe vende tjera të Lindjes së Mesme ndodhën në Turqi.

Greqia, e cila ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra migrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet evropiane, ka premtuar se nuk do të lejojë një fluks të ri me migrantë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për përpjekjet e Greqisë që të ruaj kufijtë e saj, pasi mijëra migrantë nga Turqia po tentojnë të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. “Situata në kufirin tonë nuk është vetëm çështje e menaxhimit për Greqinë, por është përgjegjësi e Evropës në tërësi. “Ata që duket se po testojnë unitetin e Evropës do të zhgënjehen. Ne do të mbajmë kursin dhe uniteti ynë do të mbizotërojë”.

Këto deklarata von der Leyen i bëri në një konference për media, pasi vizitoi rajonin së bashku me liderët tjerë të BE-së dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis./21Media