Grubi: Ky rast nuk kalon asnjëherë pa u zbardhur deri në fund
Sipas tij, deputetët e shumicës së re parlamentare u sollën me dinjitet
Deputeti Artan Grubi, dënoi ashpër ngjarjen që ndodhi mbrëmë në Kuvendin e Maqedonisë. I ftuar në emisionin debutues “Click Plus”, në TV21, Grubi tha se protestuesit që sulmuan deputetët, gazetarët dhe stafin e parlamentit, janë njerëz vandal, huliganë, njerëz të etur për gjakë dhe hakmarrje, shkruan rtv21.tv
“Njerëz që kishin ardhur aty me agjendë të caktuar, për të piketuar persona të caktuar, deputetë dhe për të krijuar një krizë nga e cila Maqedonia nuk do të mund të dilte asnjëherë”, ka thënë Grubi.
Ai tha se deputetët e shumicës së re parlamentare duhet falënderuar që ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e detyrës dhe pozitës së tyre, që u sollën me dinjitet, gjë për të cilën dëshmojnë edhe video incizimet.
“Duke mbrojtur njëri tjetrin, duke shtruar dorën e solidaritetit dhe duke vepruar si një trup i vetëm përkundër kësaj grupe të vogël dhunuese, por shumë të ashpër”, shtoi Grubi.
Sipas tij, kjo nuk ka pardon dhe përgjegjësia duhet të shkojë deri në fund.
“Institucionet e vendin janë vendosur para një testi, siç ishte para një testi Ministria e Punëve të Brendshme mbrëmë, si dhe të gjithë deputetët përbërja parlamentare. Nesër janë në test institucionet si prokuroria publike dhe gjykatat. Ky rast nuk kalon asnjëherë pa u zbardhur deri në fund, bile edhe me themelimin e një komisioni anketues, në Kuvendin e Maqedonisë, për të hedhur dritë mbi çdo gjë që ndodhi në kuvend”, përfundoi Grubi./21Media