Grumbullohet Kombëtarja U16, vajzat të lumtura për përvojën që do ta fitojnë

Të martën në Ferizaj është grumbulluar Kombëtarja U16 e Kosovës në hendboll (vajzat). Nën urdhrat e trajnerit Granit Sahiti, hendbollistet e reja kanë zhvilluar stërvitjen e parë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Kombëtarja U16 do të ushtrojë në Ferizaj deri në fundjavë, ndërsa më 17 prill planifikohet udhëtimi për në Podgoricë të Malit të Zi, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Në Podgoricë, Kosova U16 merr pjesë në Kampionatin Mesdhetar. Vajzat i presin ndeshje të forta me rivalë cilësorë. Pos Kosovës e Malit të Zi në Kampionatin Mesdhetar marrin pjesë edhe Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja e Turqia.
“Kombëtaren tonë e pret orar i ngarkuar dhe shumë ndeshje të forta. Por ky kampionat do të jetë një përvojë shumë e rëndësishme për zhvillimin e kësaj gjenerate. Hendbollistet e reja, që janë të klubeve të vendit, e kanë vlerësuar lartë faktin se do të kenë ndeshje shumë të forta me moshataret e tyre nga vende të ndryshme evropiane”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button