Një sherr i nisur mes simpatizantëve të PD dhe PS brenda KZAZ 30 te shkolla ‘1 Maj’ në Tiranë ka degjeneruar në dhunë masive në prezencë të policisë.

Disa persona pa bexhat dalluese kanë goditur me grushte vëzhguesit e PD në prezencë të kandidates për deputete Oriola Pampuri.

Nga pamjet e publikuara, shihet që në sherr përfshihet edhe një komisioner i PD.

Përplasja ka vazhduar edhe në ambientet e jashtme. Mësohet se ka persona të shoqëruar në polici.

Pampuri ka thënë se përfaqësuesit e KQZ nuk kishin asnjë informacion për autorët, teksa kanë qenë këta të fundit që ngacmuan e dhunuar vëzhguesin e PD.

Ndërsa, Silva Caka, e pranishme në momentin e përplasjes ka deklaruar se në ambientet e KZAZ kishte persona të paautorizuar dhe në momentin e pushimit kur numëruesi dhe vëzhguesi i PD ishin duke diskutuar me njëri-tjetrin, një prej personave të paautorizuar ka kërcënuar dhe me pas dhunuar përfaqësuesit e PD.

Aktualisht ka thënë Caka, ka ende persona të paautorizuar në atë qendër numërimi.

“Këtu ishte një miting njerëzish që nuk janë të identifikuar. Ka një rregull, çdo parti ka nga një vëzhgues në çdo tavolinë numërimi. Nuk duhet të ishin më shumë se 20 veta brenda. Në krahun ku është ulur deputeti i PS janë 24 persona”, ka deklaruar Caka.

Menjëherë në këtë KZAZ ka arritur edhe vetë Komisioneri Shtetëror, Ilirian Celibashi./oranews