“Shpresoj që Evropa të reagojë ashpër për këtë kërcënim serioz"

“Shpresoj që Evropa të reagojë ashpër për këtë kërcënim serioz”

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, i ka bërë thirrje Evropës që të shtojë sanksionet financiare kundër qeverisë së Nicolas Maduro, pas dëbimit të ambasadorit të Gjermanisë nga ky shtet.

Udhëheqësi i opozitës venezeueliane Juan Guaido ka përsëritur thirrjet e tij ndaj Bashkimit Evropian që ti shtojë sanksionet kundër qeverisë së presidentit Nicolas Madoru, sidomos pas dëbimit nga ana e saj të diplomatit gjerman nga vendi.

Komentet e tij për një revistë gjermane kanë shënuar përplasjet e fundit për situatën në Venezuelë, pasi vendet perëndimore njohin legjitimitetin e Guaidos si president i përkohshëm i këtij vendi, ndërkohë që Maduro ka përkrahjen e Kinës dhe Rusisë.

“Shpresoj që Evropa të reagojë ashpër për këtë kërcënim serioz kundër një ambasadori”, ka thënë Guaido.

“Përveç të tjerash, BE duhet të ashpërsojë sanksionet ndaj këtij regjimi”, shtoi ai.

Karakasi e shpalli dje ambasadorin gjerman në Venezuelë, Daniel Kriener si “person të padëshiruar”. Gjermania është vetëm një nga shumë vendet që kanë përkrahur Guaidon. Ky i fundit mohon pushtetin e Maduros dhe rizgjedhjen e tij, ndërkohë që vetë Maduro pretendon se është viktimë e një tentative të Shteteve të Bashkuara për të “pushtuar” Venezuelën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha dje se partnerët do të vazhdojnë të përkrahin Guaidon. Ai njoftoi se ambasadori do të kthehet në Gjermani për konsultime, mirëpo pozicioni i Berlinit nuk do të ndryshojë.