Guterres kërkon përmbajtje pas sulmit në Bejrut ku u vranë zyrtarë të lartë të Hamasit

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kërkuar përmbajtje maksimale nga të gjitha palët pas sulmit në Bejrut të Libanit ku u vra zëvendësshefi politik i Hamasit, Saleh al-Arouri, si dhe dy komandantë të lartë, transmeton “Anadolu”.
“Sekretari i përgjithshëm u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin hapa urgjente për t’i ulur tensionet në rajon”, tha në një konferencë për media zëdhënësja e OKB-së, Florencia Soto Nino.
Ajo tha se OKB-ja u bën thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për ta parandaluar një përshkallëzim të situatës.
“Ne nuk duam ndonjë veprim të nxituar që mund të shkaktojë dhunë të mëtejshme”, tha Nino.
Arouri u vra në një sulm në një zyrë të Hamasit në Mecherfeh në Bejrutin jugor. Raportohet për të paktën shtatë të vrarë. Hamasi konfirmoi vdekjen e Arourit dhe tha se dy komandantë të krahut ushtarak të grupit u vranë gjithashtu.
Arouri është lideri më i lartë i Hamasit që është vrarë, që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor.
Në sulmin e Hamasit në jug të Izraelit u vranë 1200 persona dhe u morën 240 pengje.