Gutierrez: Kurti nuk e njeh klimën armiqësore ndaj gazetarëve, e justifikon atë

Ricardo Gutierrez nga Federata e Gazetarëve Evropianë ka thënë se situata në Kosovë në raport me mediat është shumë keq dhe se qasja e kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave është shqetësuese.
“Ne u takuam me Kryeministrin dje për gati dy orë, Kryeministrin dhe disa nga zyrtarët e zyrës së tij. Dhe nga këndvështrimi im, përfundimi më shqetësues nga ky takim është fakti që Kryeministri nuk po e njeh këtë klimë armiqësore; përkundrazi, ai po e justifikon atë. Kryeministrit Albin Kurti iu kërkua të dënonte deklaratat publike kundër gazetarëve, mirëpo ai nuk pranoi”, ka thënë ai në konferencën e Misionit Fatkmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve.
Gutierrez ka thënë se Kurti në takim madje është arsyetuar për sulmet ndaj gazetarëve duke thënë se “nëse gazetarët sulmohen, mbase kjo ndodhë sepse ndonjëherë edhe politikanët sulmohen”. Ai potencoi se sheh mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën.
Kurse James Wiseman nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit rekomandoi që Qeveria të nis një dialog me shoqatat e gazetarëve. Wiseman, tha se janë të shqetësuar për drejtimin që po merr liria e medias në Kosovë.
”Ky është misioni im i dytë këtu në Kosovë brenda pak më shumë se dy viteve. Siç e dëgjuat nga kolegët e mi, ne jemi vërtet të shqetësuar për drejtimin që po merr liria e medias në Kosovë. Ajo që na ka goditur më shumë gjatë këtyre dy ditëve është niveli i mosbesimit dhe polarizimit midis qeverisë dhe komunitetit të mediave”, u shpreh ai.