Sipas Hajdarit, masat do të të vlejnë deri në shfuqizimin e tyre me vendim të Qeverisë

Sipas Hajdarit, masat do të të vlejnë deri në shfuqizimin e tyre me vendim të Qeverisë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka sqaruar urdhëresat që kanë të bëjnë me veprimet e ndërmarra lidhur me veprimtarinë dhe shërbimet e bizneseve dhe operatorëve ekonomikë.

Në një konferencë për media, Hajdari ka treguar se ka pasur shumë paqartësi lidhur me zbatimin e urdhëresave nga ana e Qeverisë së Kosovës, pas vendosjes së masës së emergjencës së shëndetit publik, si pasojë e paraqitjes së rasteve me koronavirus.

Ajo edhe një herë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës nuk ka për qëllim të mbyllë veprimtarinë e bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, por që të shmangë pasojat e mundshme nga pandemia koronavirus, ndaj ka dhënë edhe njëherë sqarime lidhur me një gjë të tillë.

Po sipas kësaj urdhërese, të gjithë operatorët ekonomikë janë të obliguara të ndërmarrin të gjitha masat e tjera për të zbatuar vendimet e ministrisë dhe udhëzimet e qeverisë.

Ajo ka sqaruar më tej se çfarë është paraparë të mbyllet në kuadër të masave preventive për përhapjen e koronavirusit.

Ndër masat tjera është ndalimi i pijes dhe ushqimit brenda mensës së punëtorëve, por që këtyre të fundit mund t’iu ofrohen pije dhe ushqim jashtë mensës, me qëllim që ata të qëndrojnë në distancë prej njërit-tjetrit prej të paktën një metër sipas masave të parapara nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Po ashtu edhe hotelet duhet të zbatojnë udhëzimet në fjalë, duke siguruar numrin e saktë të vizitorëve që ata pranojnë. Operatorët e posaçëm që merren me shërbime postare, elektronike, komunale e financiare mund të ofrojnë shërbime deri në një masë, por me staf të reduktuar, ndërsa prodhuesit dhe ndërtimtarët mund të vazhdojnë veprimtaritë e tyre.

Ministrja Hajdari ka dhënë sqarime edhe sa i përket shërbimeve të operatorëve të telekomunikimeve elektronike, të cilët obligohen të ofrojnë qasje pandërprerë në të gjithë vendin dhe këto shërbime nuk mund të ndalen edhe nëse klienti nuk i përmbushë detyrimet, por që ky i fundit nuk është i liruar nga pagesa.

Operatorët e shërbimeve postare po ashtu duhet të ofrojnë shërbime në të gjithë vendin, me përjashtim në ato vendet që përcaktohen me vendime të qeverisë.

Sa i përket prezencë së mysafirëve nëpër hotele në Kosovë, ministrja Hajdari tha se ato janë të obliguara t’i zbatojnë masat emergjente të shëndetit publik, duke identifikuar secilin mysafir dhe vendin e origjinës.

Ministrja Hajdari ka folur edhe rreth rezervave shtetërore, duke thënë se nuk ka vend për panik dhe shqetësim.

Ndryshe, këto masa sipas Hajdarit, do të vlejnë deri në shfuqizimin e tyre me vendim nga ana e Qeverisë së Kosovës.