Ramadani: IKSHPK kemi bërë të pamundurën që të kalojmë me sa më pak dëme

Ramadani: IKSHPK kemi bërë të pamundurën që të kalojmë me sa më pak dëme

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari pranoi se ekonomia do të jetë sektori që do pësojë më së shumti nga masat e reja kundër COVID-19, por që sipas saj, këto masa janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.

“Është e pashmangshme që këto masa të mos merren me qëllim të ruajtjes së jetës së qytetarëve, me qëllim të ruajtjes së ekonomisë. Sa më herët që merren këto masa është më mirë për jetën dhe ekonominë, sepse nëse këto masa nuk do të merren ose do të merren më vonë, do të kemi humbje ekonomike, por së pari do të kemi humbje shumë më të mëdha edhe të jetë s së qytetarëve. Është me rëndësi të kemi mirëkuptimin e përbashkët me qytetarët dhe bizneset për shkak të pandemisë dhe t’i largojmë rreziqet për shkak të pandemisë”, tha Hajdari.

Ajo kërkoi për mirëkuptim nga bizneset dhe qytetarët në lidhje me masat e reja, sipas të cilave qytetarët do të kenë të drejtë vetëm një herë në ditë të dalin në qytet edhe atë për një orë e gjysmë, deri më së largu më 4 maj.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e reja, ndërsa Naser Ramadani në emër të IKSHPK-së tha se këto vendime janë marrë për të mirën e të gjithë qytetarëve, me qëllim të ruajtjes së jetës së tyre.

“Janë vendime që do të ndikojnë dukshëm dhe do të kenë impakt në jetën e qytetarëve. Këto vendime që i kanë pranuar ministrat e linjës janë vendime që do të ndikojnë direkt në ruajtjen e shëndetit, por edhe me një pakt, atë vendimtar, me qytetarët e Kosovës, të cilët duhet të kenë durim dhe kujdes dhe sjellje qytetare që ne të tregohemi se po shkojmë drejt Evropës duke zbatuar vendimet dhe duke ruajtur shëndetin e individëve dhe qytetarëve të tërë vendit. IKSHPK kemi bërë të pamundurën që të kalojmë me sa më pak dëme dhe sa më pak sëmundje dhe sa më pak humbje të jetëve. Këtë ju premtojmë edhe sonte”, tha Ramadani.