Qendra Kombëtare britanike për Sigurinë Kibernetike tha të enjten se hakerë të mbështetur nga shteti rus po përpiqen të vjedhin nga institucionet akademike dhe farmaceutike të botës studimet mbi vaksinat dhe trajtimin e koronavirusit.

Një deklaratë e hartuar nga Britania në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, ia atribuon sulmet grupit APT29, i njohur gjithashtu me emrin “Cozy Bear”, për të cilin ata thonë se pothuajse me siguri funksionon si pjesë e shërbimeve të zbulimit rus.

Ne i dënojmë këto sulme të neveritshme kundër atyre që bëjnë punë me rëndësi jetike për të luftuar pandeminë e koronavirusit”, tha Paul Chichester, drejtor i Operacioneve të Qendrës britanike për Sigurinë Kibernetike.

Qendra tha se sulmet e grupit janë duke vazhduar dhe se ata përdorin një larmi mjetesh dhe teknikash, përfshirë metodën “spear-phishing” apo injektimin e viruseve kompjuterike të njohura si “malware”.