Ai thotë se një zgjidhje përfundimtare arrihet vetëm nëse vazhdon dialogu

Ai thotë se një zgjidhje përfundimtare arrihet vetëm nëse vazhdon dialogu

Nënsekretari amerikan, David Hale do ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën këtë javë.  Në një intervistë  për portalin serb Danas, Hale ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo dikush tjetër nuk mund ta përcaktojnë rezultatin final të bisedimeve Prishtinë-Beograd, shkruan Danas, raporton rtv21.tv

“Ekziston mundësia që një zgjidhje përfundimtare të arrihet këtë vit, por vetëm nëse vazhdon dialogu. Është koha të ndalen provokimet nga të dy anët, të hiqet taksa dhe të vazhdohet dialogu”, ka thënë ai.

Sipas Hale, SHBA-j nuk ka ndonjë recetë për zgjidhjen e çështjes dhe thekson se vetëm Beogradi dhe Prishtina mund ta gjejnë zgjidhje. Hale më tej ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta diktojnë rezultatin përfundimtar.

“Udhëheqësit dhe ekipet e tyre duhet të rinovojnë negociatat e drejtuara nga BE, të eksplorojnë të gjitha mundësitë dhe të komunikojnë me qytetarët e tyre me ndershmëri dhe haptazi. Në këtë proces, udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës kanë mbështetjen tonë të plotë.”, ka thënë Hale.

Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale do të vizitojë Kosovën më 9 mars, ndërsa një ditë më herët do të qëndrojë në Beograd./21Media