Hamza flet për zhvillimet në veri: Qytetarët të qëndrojnë të qetë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri.
Hamza në një prononcim u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë në shtëpitë e tyre. Ai tha se Kosova ka polici profesionale e cila vepron në përputhje me ligjin dhe i trajton pa dallim të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë.
“Ne i kemi bërë dhe vazhdojmë t’iu bëjmë apel qytetarëve të Mitrovicës në pjesën jugore që të jenë të qetë. Kjo është një punë që iu takon institucioneve të rendit, institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës. Kosova ka një polici mjaft profesionale, e cila vepron në përputhje me ligj dhe pa dallim i trajton njësoj të gjithë qytetarët e Kosovës, pa kurrfarë dallimi as etnik, as religjioz apo racor. Ne jemi të interesuar që të ketë qetësi, organet e rendit ta kryejnë punën e vet, të zbatohet rendi dhe ligji në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës dhe kjo është në dobi të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që i përkasin nacionalitetit serb, sepse qetësia, rendi dhe ligji që na konvenon të gjithë neve në Kosovë. Pres që të gjithë të reflektojnë që organet e rendit ta kryejnë punën e vet, qytetarët të jenë të qetë dhe të jenë në shtëpitë e tyre, në detyrat e tyre dhe punët e tyre”, tha ai.
Serbët lokalë kanë bllokuar sot rrugët në veri në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së reciprocitetit të Kosovës qysh nga dita e hënë ndaj letërnjoftimeve dhe targave të lëshuara nga shteti i Serbisë./kp

Back to top button