Hamza në SHBA diskuton për ”hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria e ardhshme për anëtarësimin në NATO”
Kryetari i Mitrovicës, njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku ka nisur takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Hamza ka bërë të ditur se në takim me Ambasadorin Daniel Fried, dhe me eksperten e lartë për NATO-n, Rachel Rizzo ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria e ardhshme për ta kthyer vendin në rrugën e anëtarësimit të shpejtë në NATO.
”Sapo përfundova një takim përmbajtësor në Këshillin Atlantik, një nga organizatat më të rëndësishme në Washington, D.C. Pata nderin të bashkëbisedoj hollësisht me Ambasadorin Daniel Fried, i cili ishte Ndihmës Sekretar i Shtetit kur Kosova shpalli pavarësinë, si dhe me eksperten e lartë për NATO-n, Rachel Rizzo. Ne biseduam për situatën aktuale në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria e ardhshme për ta kthyer vendin në rrugën e anëtarësimit të shpejtë në NATO. Aleatët dhe miqtë e Kosovës janë të shumtë në kryeqytetin e Amerikës dhe të botës së lirë. Plani im për qytetarët e Kosovës është i qartë dhe i fokusuar në rritjen ekonomike, rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies. Këto objektiva të përbashkëta mund të arrihen vetëm në bashkëpunim me miqtë e aleatët dhe jo nëse izolohemi nga bota”, ka shkruar Hamza.
Kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza gjithashtu dje gjatë ditës ka zhvilluar një takim edhe në Heritage Foundation, organizatë me ndikim dhe e afërt me Partinë Republikane. Atje Hamza ka takuar James Carafano, një nga udhëheqësit kryesorë për politikë të jashtme dhe siguri në këtë fondacion dhe Max Primorac, ekspert i lartë në Qendrën “Margaret Thatcher”.
”Me z. Carafano, që është zë i respektuar republikan dhe personalitet i njohur publik, diskutuam për situatën në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral. Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen bipartizane, qoftë nga administrata e demokratëve, ashtu edhe ajo e republikanëve. Shteti ynë duhet ta ruajë këtë vlerë dhe të përmbahet nga animet eventuale në politikën dhe preferencat zgjedhore të qytetarëve amerikanë. Kosova ka miq dhe i duhen miq në tërë peizazhin politik amerikan, prandaj edhe takimet e mia kanë në fokus ndërtimin e lidhjeve të fuqishme, si me demokratët dhe administratën Biden, ashtu edhe me republikanët dhe zyrtarët e administratës së ish Presidentit Trump. Polarizimi në Kosovë nuk duhet të eksportohet. Na nevojitet puna e përbashkët. Ky ishte edhe premtimi im ndaj zyrtarëve në Heritage Foundation, Atlantic Council dhe ekspertëve të tjerë që takova këto ditë”, ka njoftuar Hamza./21Media