Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, tha se me përkrahjen e PDK-së sot ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Ndërsa potencoi se ky votim nuk ka të bëjë asgjë me zhvillimet politike që mund të ndodhin.

“Pas shumë përpjekjeve si rezultat i paaftësisë së qeverisë për ta kaluar këtë lihh, sot me përkrahjen e PDK-së dhe me inkorporomini e amendamenteve kaloi ky projektligj. Ne jemi opozitë, por jo opozitë e qytetarëve. Përmes këtij ligji përkrahim subjektet që kanë pasur vështirësi. Gjithashtu edhe të punësuarit e sektorit privat paguhen që kanë humbur punën gjatë pandemisë”, tha ai.

I pyetur se a ia kanë zgjatur jetën kësaj qeverie me votimin e projektligjit, Hamza tha “është qeveri e dobët, me i pas numrat nuk ishin vonuar kaq shumë. Ne kemi qenë konstruktiv. Votimi i këtij projektligji nuk lidhet me asnjë lloj zhvillimi politik në të ardhmen. Asnjë ndërlidhje nuk ka me zhvillimet e ardhshme politike që mund të ndodhin”.