Hapet tregu i rrushit në Rahovec, kërkohet të respektohen rregullat për Covid-19

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar vendimin për hapjen dhe funksionalizimin e tregut e rrushit

Fermerët të cilët do t’i ekspozojnë produktet e tyre në treg obligohen që t’i respektojnë rekomandimet e IKSHP-së kundër COVID-19 siç janë: mbajtja e distancës sociale prej 2 metra dhe përdorimi i maskave dhe dorëzave.

Ndërsa tek pika 3 thuhet se fermerët të cilët nuk e kanë prezent Numrin Identifikues të Fermerit (NIF) dhe të cilët nuk pajisen me masat mbrojtëse sipas pikës 2 të këtij vendimi nuk mund t’i ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre në treg.

Pika 4 thotë se obligohet Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural që të hartojë Planin Operativ për funksionimin e tregut siç është: caktimi i orarit për shitjen dhe llojin e produktit.

Në pikën 5 thuhet se obligohet Drejtoria për Inspektim dhe Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural që të bëjnë inspektimin dhe mbarëvajtjen e funksionimit të tregut.

Pika e 6 dhe e fundit thuhet se ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

“Duke marrë parasysh gjendjen e krijuar në Republikën e Kosovës pas paraqitjes së pandemisë së CoronaVirus COVID-19 si dhe mungesës së tregjeve për ekspozimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore nga ana e fermerëve të Komunës së Rahovecit, është parë e arsyeshme që hapësira e tregut pranë Shtëpisë së Verës (Tregut të Rrushit), në një hapësirë prej 1 hektarë e 10 ari, parkingut të mjaftueshëm që është i ndarë nga tregu në relacionin Rahovec – Xërxë, të hapet dhe të funksionalizohet për t’iu mundësuar fermerëve të Komunës së Rahovecit ekspozimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore, shitjen e kulturave perimtare dhe shitjen e produkteve të bylmetit. Duke marrë parasysh hapësirën e mjaftueshme të tregut të lartëcekur, konsiderojmë se bujqit e komunës së Rahovecit do të mund t’i ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre duke respektuar mjaftueshëm masat e rekomanduara nga IKSHP për mbajtje të distancës, maskave dhe dorëzave”, thuhet në arsyetimin e Komunës./21Media

Back to top button