Hapja e urës së Ibrit nuk pritet të paraqesë rrezik për komunitetin serb në veri

Pala shqiptare konsideron se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër nuk paraqet kurrfarë rreziku për serbët në veri të vendit.  Ish ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati për RTV21 vlerëson se nuk asgjë të kundërligjshme për hapjen e urës por kjo duhet bërë me kujdes që të mos shkaktojë tensione të reja në veri.

“Është krejtësisht legjitime dhe është në të drejtën që të planifikojë veprime të ndryshme që shtrijnë autoritetin e institucioneve të Kosovës, por edhe siguron liri të lëvizjes, siç është rasti i urës. Por edhe një herë dëshmohet se ura, por jo vetëm ajo si një simbolik pak e rëndësishme por edhe përgjithësi gjendja në veri është e karakterit politik. Të gjitha problemet prodhohen për shkak të ambicieve politike që kanë në veri. Ajo çka nuk do të kishim dëshiruar është të prodhohen tensione, pikërisht për shkak të kësaj se kemi kundërshtime të shumicës (serbe) në atë pjesë, që fatkeqësisht komandohen nga Lista Serbe dhe vet Vuçiqi. Ata kundërshtojnë jo pse kanë ndonjë argument por thjesht sepse kjo është iniciativë e institucioneve të Kosovës dhe janë kundër normalizimit të jetës në këtë pjesë. Tash këtu vendimtarë është faktori ndërkombëtarë dhe që duhet patjetër që këto aksione të koordinohen me faktorin ndërkombëtarë”, tha Ferati.

Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, thekson se ura duhet të hapet për qarkullim, pasi nuk paraqet asnjë rrezik për komunitetin serb.

“Ura padyshim se duhet të hapet dhe do të hapet. Ekzistojnë edhe shumë ura në Kosovë, këtë rast andej lumit Ibër, siç është te Lagjja e Boshnjakëve, në Suhodoll, Gushavcë, Kushtovë dhe Qabër që funksionojnë për automjete. Edhe kjo urë do të kishte qenë shumë mirë që të hapet sa më shpejtë sepse nuk do të ketë atë funksionin krucial siç e mendojnë shumë. Janë vetëm dy korsi nga Lagjja e Boshnjakëve dhe nga Lagjia e Suhudollit, pasi në anën e drejt e ke sheshin…Organet e sigurisë të Republikës së Kosovës e vlerësojnë se kur është momenti i duhur. Kur të vlerësojnë momentin e duhur ata do të thonë atë, por me shpresën se do të koordinohen dhe do të gjejnë zgjidhjen më të thjeshtë. Kjo urë duhet të hapet pa asnjë pompozitet se tek e fundit është vetëm një urë që do të lidh njerëz”, tha Dashevci.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë se do të merren të gjitha masat në rast se merret vendimi për hapjen e urës. Ai përmend edhe bashkëpunimin e mirë ndëmrjet policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

“Ne nuk kemi ndonjë i informacion se kjo urë është duke hapur tash. Në rast se merret ndonjë vendim dhe vjen vendimi përmes hierarkisë komanduese atëherë do t’i marrim masat e nevojshme….(Bashkëpunimi me KFOR dhe EULEX) Shumë i mirë, ata janë partnerët tonë. Edhe KFOR që i kemi edhe në kufijtë e vendit dhe EULEX që ishin duke monitoruar dhe mbikëqyrë punën tonë”, thekson Elshani.

Në Mitrovicë të Veriut të enjten është mbajtur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Si përgjigje ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë qeveritar për hapjen e urës mbi Ibër, sebët lokalë në pjesën veriore, u shprehën kundër hapjes së saj në protestën që organizuan të mërkurën pranë urës së kontestuar që nga përfundimi i luftës në Kosovë./RTV21/21Media 

Back to top button