Haradinaj: Djegia e flamurit nuk bën pjesë në traditën e shqiptarëve

 

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar për djegien e flamurit grek në Prishtinë.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në profilin e tij “facebook” ka thënë se djegia e flamurit grek apo cilido flamur tjetër nuk është pjesë e traditës së shqiptarëve.

“Duke ju uruar sukses skuadrave tona sportive e po ashtu edhe tifozërisë sonë të mrekullueshme, nuk mund të mos e shpreh shqetësimin tim për dukuritë negative që nganjëherë ndodhin, e që nuk na bëjnë nder aspak. Populli shqiptar, ashtu siç dëshiron që të respektohen simbolet tona kombëtare, ashtu respekton edhe simbolet e popujve të tjerë. Djegia e flamurit grek, apo cilitdo flamur tjetër, nuk bën pjesë në traditën e shqiptarëve dhe besoj se ky do mbetet rast i izoluar dhe nuk do të përsëritet. Futbollistët tonë të shkëlqyer, i nderojmë me mbështjetje e përkrahje në shumë mënyra, por jo duke i ofenduar të tjerët”, ka shkruar Haradinaj.

Flamuri i Greqisë është djegur në një nga sheshet e Prishtinës, nga një grup tifozësh pas humbjës në ndeshjen e parë parakualifikuese të Ligës së Evropës me ekipin qipriot Apoel.

Back to top button