Sipas Haradinajt rajoni nuk mund të ecën përpara nëse Serbia nuk i pranon krimet

Sipas Haradinajt rajoni nuk mund të ecën përpara nëse Serbia nuk i pranon krimet

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Krushën e Madhe për të përkujtuar masakrën e luftës së fundit në këtë vend, ju ka bërë ftesë intelektualëve dhe mediave serbe që kur të vijnë në Kosovë të vizitojnë edhe vendet si Krusha, që të kuptojnë realitetin më mirë.

“Shpresoj që një ditë intelektualët serbë, fëmijë të Serbisë, mediat serbe kur kërkojnë për me ardhë në Kosovë, përpos vendeve tjera që i zgjedhin për me i vizitu, të kërkojnë me ardhë me e pa edhe Krushën. Do ta kishin shumë më të lehtë që ta kuptojnë rajonin, me e kuptu të drejtën e rajonit tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se nuk mund të ecë përpara rajoni, kur Serbia i mohon krimet e kryera në Kosovë dhe kërkon diçka në këmbim të njohjes.

“Unë i dëgjoj politikanët në Serbi në deklarimet e tyre e në mohimin e asaj që ka ndodhë në Kosovë. Nuk është rruga përpara duke e mohuar këtë dhimbje, këto krime. Janë dhjetëra vende ku janë vrarë civilë të pafajshëm, prej fëmijë e deri tek të moshuarit. Është e pakuptimtë një lloj pajtimi i kryeqendrave me qëndrimet e Serbisë se Kosova duhet të japë diçka për njohje. Ne edhe me këto varreza dhe të pagjeturit kemi shkuar në dialog”, ka deklaruar Haradinaj gjatë fjalimit të tij në ceremoninë përkujtimore të 20 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe./kallxo