21 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj duke uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, kujtoi betejat e përgjakshme anekënd Kosovës ku mijëra luftëtarë trima ranë dëshmorë për lirinë e atdheut. Haradinaj falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n të cilët ndihmuan vendin tonë.

“12 qershori i vitit 1999 shënon fillimin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kujtojmë sot, betejat e përgjakshme anekënd Kosovës, ku mijëra luftëtarë trima, ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut. I përulemi të rënëve dhe i falënderohemi përjetësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve aleate të NATO-s që Kosovës i dolën në krah, në kohën më vendimtare në historinë e saj! Kosovë, Urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./21Media