Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar rreth bastisjes së EULEX tek shtëpia e Jakup Krasniqit në Prishtinë.

Haradinaj thotë se këto bastisje janë shqetësuese meqë nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike.

Madje ai ka theksuar se defilimet e tilla nga EULEX në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor.

“Zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese, pasi që nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Tutje Haradinaj thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe se beson në pafajësinë e Jakup Krasniqit.

“Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi”, ka përfunduar shkrimi i Haradinajt.

Ndërkohë që bastisja në shtëpinë e Krasniqit në Prishtinë që nisi në mëngjesin e së mërkurës është duke vijuar. Po ashtu tek shtëpia e Krasniqit në fshatin Negrovc të Drenasit është duke qëndruar Policia e Kosovës./21Media