Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të hiqen ndalesat e qarkullimit deri pas festave për shkak të lëvizjes së lirë të bashkëatdhetarëve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se ardhja e bashkatdhetarëve e gjallëron jetën dhe ekonominë në Kosovë.

“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës. Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre. Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër kryeministri, Avdullah Hoti u shpreh se shumë shpejt do të propozohen masat e reja shtesë, për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 48 mijë e 337 raste me COVID-19. 1 mijë e 240 prej tyre kanë vdekur, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsej 35 mijë e 790./21Media