21 vjet më parë në Burgun e Dubravës është kryer një nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në këtë masakër u vranë 130 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.

Në 21-vjetorin e masakrës së Dubravës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se edhe pse përkundër faktit që kjo masakër është e dokumentuar, askush nuk është gjykuar.

“Edhe pse ndër masakrat më të dokumentuara, me vrasës të njohur me emër e mbiemër, askush ende nuk është gjykuar. Kosova nuk gjen qetësi pa zbardhjen e këtij dhe shumë krimeve tjera masive dhe e ka obligim, që të kërkojë drejtësi derisa ekzekutorët e këtij krimi gjenocidal të marrin dënimin e merituar.”, ka shkruar ndër tjerash Haradinaj.

Ai më tej shkroi se është e dhimbshme se ky skenar morbid serb, përfshiu edhe veprimtarin e madh të çështjes sonë kombëtare, Ukshin Hotin, për zhdukjen e të cilit as pas dy dekadash nuk ka asnjë hetim.

“Martirët e Dubravës janë pjesë e përhershme e kujtesës sonë historike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./21Media