Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kujtoi heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli si dhe tetë dëshmorë të tjerë të cilët ranë më 1998 dhe 1999 në betejën në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz dhe Bokshiq.

Haradinaj ka thënë se është obligim i yni ta ruajmë lirinë, duke përkujtuar bijtë tanë, që me gjakun e tyre u bënë themel i saj.

“Lufta për liri na ndau nga shumë bashkëluftetarë të zot, që ishin me ne që nga fillesat e rezistencës sonë për liri. Në njëzetedy vjetorin e rënies, kujtojmë me nderim Heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli, si dhe dëshmorët, Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina, që ranë gjatë betejës treditore në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz e Bokshiq. Një vit më vonë, u përjetësuan Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexhaj, tre vëllezër që falën jetën për Atdhe. Është obligim i yni ta ruajmë lirinë, duke përkujtuar bijtë tanë, që me gjakun e tyre u bënë themel i saj. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj.

Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi pikërisht Ramush Haradinaj.