Haradinaj: Kurti të kërkojë që dialogu t’i kalojë presidentit Biden

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit, Albin Kurti që të kërkojë që përgjegjësinë për dialogun Kosovë-Serbi ta marrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti amerikan, Joe Biden.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, Haradinaj tha se ai duhet të ketë fokus të veçantë në integritetin territorial të vendit, sovranitetin dhe kushtetueshmërinë. Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti duhet të kërkojë zyrtarisht që çështja e dialogut të kalojë nga Bashkimi Evropian te presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të sigurohej marrëveshja finale dhe garancia e implementimit të saj.
“Rrezik është që Serbia të insistojë që përmes çështjes së asociacionit, ose të arrijë një sukses ose të dështojë dialogun, për shkak se koha i konvenon Serbisë. Kosova dhe Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet jo në marrëveshje një nga një, jo në asociacionin, por në marrëveshje obligative ligjore, pra për njohje reciproke Kosovë-Serbi, por që është gjithëpërfshirëse, që nënkupton obligimet e së kaluarës, obligimet e së tashmes. Sa i përket asociacionit, e ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ia thash kryeministrit Kurti që Bashkimi Evropian vërtet ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, mbi një dekadë, por rrethanat pulitke, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE nuk është më neutral, është në luftë me Rusinë, njëjtë si e gjithë bota. Mendoj se tash është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofolin e dialogut t’i kalohet presidentit të Amerikës, Joe Biden, sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garancia në implementim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se marrëveshjet një nga një me Serbinë janë të dëmshme./kp

Back to top button