Haradinaj u shpreh se vendimet antikushtetuese s'mund të tolerohen

Haradinaj u shpreh se vendimet antikushtetuese s’mund të tolerohen

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj sonte reagoi pas masave të Qeverisë në detyrë ndaj parandalimit të koronavirusit. Haradinaj përmes facebookut u shpreh se me masat e reja rendi kushtetues është cenuar rëndë.

Sipas Haradinajt, Qeveria e Kosovës me këtë vendim antikushtetues, ka uzurpuar pushtetin.

“Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cenuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet antikushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm.”, shkroi Haradinaj në facebook.

Sonte, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi qytetarët me masat e reja të ndërmarra për parandalimin e COVID-19. Vitia bëri të ditur se prej datës 15 prill për personat mbi 16 vjeç do të lejohet dalja nga shtëpitë për vetëm një orë e gjysmë në ditë (90 minuta). Orari i lëvizjes do të përcaktohet në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal./21Media