Haradinaj merr përkrahje për njohje të reja për Kosovën
26 Tetor 2017
Katari do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
Katari do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim të ngarkuarin me punë të Katarit në Shqipëri, jo rezident në Kosovë, Hashim Ibrahim Al-Sada.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri e njoftoi ambasadorin për angazhimin e Qeverisë në forcimin dhe konsolidimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës si dhe për zhvillimet dhe proceset që lidhen me agjendën euroatlantike me synim anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO dhe në BE.
Po ashtu, Haradinaj shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik.
Nga ana e tij, Ibrahim Al-Sada e ka uruar Haradinajn për marrjen e përgjegjësive të reja, duke përcjell edhe urimet e kryeministrit të shtetit të Katarit.
Ibrahim Al-Sada theksoi gatishmërinë e Katarit se do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat, përfshirë përkrahjen për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare./21Media