Ky rrugëtim njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Dukagjinit

Ky rrugëtim njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Dukagjinit

Për të përkujtuar 30 dëshmorët e rënë me 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në fshatrat Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit sot u mbajt edhe një akademi përkujtimore në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Rënia e këtyre dëshmorëve ishte humbja më madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi në këtë grup, ishin disa nga udhëheqësit më të mirë të luftës, në mesin e tyre edhe komandantët e shquar në rrafshin e Dukagjinit si Agron Rama e Agim Zeneli.

Përpos tyre, edhe dëshmorët Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetta, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Lipjani, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sejdi Ramaj, Sahit Krasniqi, Valon Gashi, Gaspër Karaqi, Zyber Shala, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Rifat Shala, Rrustem Morina, Selmon Morina, Nesret Morina, Muhamet Morina dhe Adem Shala ranë kur po shkonin drejt kufirit për t’u pajisur me armatim.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-gjenerali i UÇK-së, Daut Haradinaj, tha se dëshmorët e rënë vunë themelin e lirisë së Kosovës. Ai tha se rrugëtimi i atyre luftëtarëve që humbën jetën jo më kot njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm i Ushtrisë Çlirimtare, pasi trimat më të mëdhenj të Dukagjinit kishin sakrifikuar jetën e tyre për atdheun.

Në emër të Komunës së Gjakovës në këtë ceremoni përkujtimore doli edhe kryetari Ardian Gjini i cili mes tjerash tha se heronjtë e dëshmorët e kësaj epopeje kanë qenë djemtë me të dalluar dhe kontribut dhënësit më të mëdhenj të luftës. Ai theksoi se të gjithë ne duhet të marrim obligime shtesë që ëndrrën e tyre për një Kosovë të zhvilluar ta bëjmë realitet.

Në nderim të dëshmorëve, fjalë rasti kanë mbajtur edhe gjenerali tjetër i UÇK-së, Lahi Brhaimaj si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve.