Lajçak vijon takimet në KFOR

(Lajm i përditësuar)
Në vazhdën e takimeve në ditën e tij të dytë të qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka takuar edhe komandantin e KFOR-it, shefin e EULEX-it, të UNMIK-ut dhe atë të OSBE-së në zyrat e misionit të NATO-s në Kosovë.
Siç bën të ditur KFOR, komandanti i tij, Angelo michele Ristuçia, e informoi zyrtarin e BE-së për aktivitetet e KFOR-it.
Ndërsa me ambasadorët Michael Davenport (OSBE), Lars-Gunnar Wigemark (EULEX) dhe Caroline Ziadeh (UNMIK), thuhet se diskutuan për situatën aktuale për të sinkronizuar çdo përpjekje për të mbështetur dialogun në kuadër të mandateve përkatëse.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësi dhe personel për të vazhduar zbatimin e mandatit të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR-i gjithashtu thotë se vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin.
Lajçak: E gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve me krerët opozitarë në Kosovë, tha se i ka informuar ata në detaje për planin e BE-së për dialogun.
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Lajçak nuk dha detaje të tjera për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin e radhës të nivelit të lartë. Por, ka theksuar se është e rëndësishme në këtë pikë  të takohet me partitë opozitare.
“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare, dhe jam takuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe i kam njoftuar për procesin, për pritjet e Bashkësisë Ndërkombëtare, ata kanë shpjeguar qëndrimin e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe ata të dëgjojnë nga unë, dhe jo vetëm nga media apo nga Kuvendi, prandaj për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, ka thënë Lajçak.
Ai po qëndron në Kosovë që nga dita e djeshme, ku edhe ka takuar krerët e shtetit.
Lajçak shkon në zyret e LDK-së, fillon takimi
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka filluar takimin me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në fillim të takim, derisa zyrtarë të LDK-së, thanë se nuk do të ketë deklarime për media.
Paraprakisht emisari ka takuar edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.
 

Haradinaj pas takimit me Lajçak: Kjo marrëveshje është me interes nacional 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ia ka kumtuar mbështetjen për marrëveshjen Kosovë-Serbi, emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se gjatë takimit me Lajçak janë informuar në hollësi për progresin e arritur deri më tash në përfundimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shpreha vlerësimin tim për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshje. E vlerësova lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të arritjes së marrëveshjes, rol i cili është jetik në zbatimin e saj. Për Aleancën për Ardhmerinë e Kosovës kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar ai.
​AAK shpreson se më 18 mars do të nënshkruhet marrëveshja e dakorduar në Bruksel
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ia ka kumtuar mbështetjen për marrëveshjen Kosovë-Serbi, emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak ka diskutuar pak minuta me zyrtarë të kësaj partie, pas takimit që pati në PDK.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas takimit me të ka thënë se propozimi evropian është i vlefshëm dhe se ka elemente të mira për Kosovën.
AAK mendon se ka të arritura serioze në këtë dokument, “e kuptojmë se nuk është njohja de jure e Kosovës në të, por e kuptojmë se marrëveshja përmban elemente që i krijojnë marrëdhënie të reja në rajon, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë, krijon rrethana që e nxjerrin Kosovën në situatë krejt të tjera”.
Gjini ka shtuar se shpreson në marrëveshje në takimin që do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut mes palëve.

Ndërsa Lajçka nuk u prononcua për media duke thënë se ende nuk i ka përfunduar të gjitha takimet.

 
Nis takimi Haradinaj – Lajçak 
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky takim po realizohet në kuadër të vizitës dyditore të Lajçakut në Kosovë.
Paraprakisht emisari ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ndërkaq gjatë ditës së djeshme është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Kransiqi pas takimit me Lajçak: Kemi rezerva për propozimin franko-gjerman
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryetarit të PDK-së dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Krasniqi pas takimit në një konferencë për media tha se kanë rezerva për propozimin franko-gjerman.
“Sapo zhvillova një takim miqësor, të hapur dhe konstruktiv me Lajcakun, ku bashkë diskutuan për zhvillimet politike në vend me theks të veçantë në procesin e dialogut dhe diskutimet për marrëveshjen e propozuar. Lajçakut ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së, rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjes për arsyet të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut në vazhdimësi duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellët. Ky ka qenë jo vetëm qëndrimi ynë por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë – fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellët por me asociacionin në qendër”, u shpreh Krasniqi.
Ai u shpreh se kryeministri Kurti nuk po i sjellë Kosovës marrëveshje me njohje reciproke, por një marrëveshje e cila në qendër e ka asociacionin.

Lajçak fillon takimin me kryetarin e PDK-së
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur në zyrat e PDK-së.
Lajçak ka filluar takimin me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, ai do të takohet të premten edhe me kryetarët e LDK-së dhe AAK-së.

Lajçak sot takohet me partitë opozitare
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, do të takohet të premten edhe me kryetarët e partive politike në Kosovë.
Lajçak pritet që të takohet me kryetarin e PDK-së në orën 10:45, me atë të AAK-së në 11:45, ndërsa do të jetë në LDK në orën 14:45.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar ankesin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa në një deklaratë para gazetarëve theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Back to top button