Haradinaj për krizën energjetike: Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut!

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me situatën me energji elektrike.
“Duke e parë se situata elektro-energjetike edhe sot është e rëndë dhe mund të shkojë drejt kolapsit total, i pata kërkuar kryeministrit: që ministrat e tij të kalojnë më shumë orë pune në KEK, që të “mërdhijnë” duke kërkuar zgjidhje; që ta rishikojë projektin e Kosovës së Re; që ta rishikojë projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë; që të bëjnë marrëveshje për blerje të energjisë sa nuk është bërë tepër vonë…”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka potencuar se plaga energjetike shërohet me vendime të mëdha.
“Por nga gjithë këto e masa të tjera emergjente e afatgjate për përballjen e kolapsit të mundshëm energjetik, ai e ministrat e tij kanë vendosur që të navigojnë në internet dhe të gjejnë modele të kursimit të energjisë, e t’ia kalojnë popullit për t’i lexuar. Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se “Ky dimër do të jetë i rëndë”! Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit. Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut!”, ka shtuar Haradinaj./21Media

Back to top button