Haradinaj tha se procedura e shkarkimeve ka qenë e nxituar

Haradinaj tha se procedura e shkarkimeve ka qenë e nxituar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e deportimit të 6 shtetasve turq në mars të këtij viti se ka mundur ta shkarkojë ish-drejtorin e Policisë, Shpend Maxhunin për këtë rast por tha se nuk e ka parë atë si përgjegjës për këtë aferë.

“Politikisht kam mundur ta shkarkoj Shpend Maxhunin, si veprim politik në diskrecion. Megjithatë unë jam ndalë te dy personat që janë hierarki”, tha Haradinaj, duke iu referuar shkarkimeve të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe ish-shefit të AKI,së, Driton Gashi.

“Procedura ka qenë e nxituar, ka qenë një nxitim i madh, i habitshëm. Ka mundur të shkojë si proces i rregullt. Aspekti human, i cili te populli ynë është i çmueshëm, ka munguar”, tha Haradinaj, raporton kallxo.

Sipas Haradinajt, ai e mori informatën për dëbimin e tyre e mori mes orës 11:00 dhe 12:00, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00. Madje, ai pranoi se këtë informatë ia dha një diplomat i huaj. Po atë ditë, ai tha se iu ka drejtuar shkresë personave përgjegjës. Para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gylenistëve, Haradinaj i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshit në pyetjen pse ka shkakruar drejtorin e AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme derisa s’ka pasur një vendim gjyqësor për këtë.

“Jo vetëm 29 marsi, por edhe ora është në dokument. Ata janë larguar nga Kosova në ora 10:50, ndërsa unë e kam marrë vesh rreth orës 12:00. Me datën 29 është shkresa që në përputhje me përgjegjësit ligjore unë kam paraqitur pyetjet drejtuar atyre, në ketë rast, përgjegjësit të parë ndaj meje, që më obliguan mua për informatë, z. Sefaj dhe z. Gashi. Ka qenë obligim i tyre që me më raportuar për aksionin. Vendimi për shkarkim të këtyre dyve është i diskrecionit që ja ka dhënë. Duke qenë se është diskrecion politik, atëherë unë e kam shfrytëzuar të drejtën time për shkarkim. Deri në momentin konkret nuk kam pasur vërejtje në asnjërin, mirëpo kjo ka qenë ajo thyerja që ka ndodhur, do të thotë nuk kam qenë i njohur për atë ngjarje”, tha Haradinaj.

Në këtë ditë ishte paraparë të intervistohet edhe kreu i shtetit, Hashim Thaçi, por ai ndodhet për vizitë zyrtare në Amerikë. Herën e kaluar Komisioni Hetimor Parlamentar, për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turqve dështoi të mbahet, pasi në rend dite ishte raportimi i presidentit dhe kryeministrit të Kosovës. Pushteti kërkoi që raportimi i Thaçit dhe Haradinajt të hiqet nga rendi i ditës por kjo u kundërshtua nga deputetë të opozitës, çka krijoi edhe përplasje mes tyre. Gjashtë shtetasit turq, të njohur si gylenistë ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti. Pas kësaj është shkarkuar Flamur Sefaj që mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme si dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi. Deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ndërkaq, para një jave Komisioni Parlamentar Hetimor lidhur me rastin e gjashtë gylenistëve të deportuar në mars të këtij viti ka intervistuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, ish-drejtorin e departamentit për aviacion civil, Ismail Berishën, Agjencinë e Shërbimeve të navigacionit ajror si dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI-së, Shkelzen Sopjanin. Ministri Lekaj ka thënë se kompania turke keqpërdori lejen, pasiqë kërkuan fluturim privat dhe sipas tij, asnjë zyrtar as nga AKI-ja dhe as nga institucionet kosovare e ndërkombëtare turke nuk janë kontaktuar.