Haradinaj pranon se ka shumë punë që të drejtat e punëtorëve të realizohen

Kryeministri numëron të arriturat e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot për 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve përmendi të arriturat dhe synimet e Qeverisë për punëtorët.

Haradinaj u shpreh se është bërë nivelizimi i pagave, për sektorin publik dhe ka filluar procedura për rritjen e pagës minimale.

“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është rast i mirë për të reflektuar se si të vendosim një bashkërendim ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, në partneritet me sindikatat dhe politikën, për uljen e papunësisë dhe që Kosova të ketë një treg të konsoliduar të punës”, shkroi kreu i ekzekutivit në “Facebook”.

Haradinaj tha tutje se Kosova ka një rritje ekonomike prej 4.7% me tendencë rritjeje të vazhdueshme, Megjithatë, ai u shpreh se ende kanë shumë punë që të drejtat e punëtorëve të realizohen në plotni, duke zbatuar Ligjin e Punës dhe garantim të sigurisë në punë.

“Të gjithë punonjësve, urime 1 Maji!”, ka përfunduar kryeministri.

Sot në  sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur protesta e oragnizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës me rastin e Ditës së Punëtorëve, 1 Majit 

1 Maji lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”. Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme, e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më  1 maj 1886./21Media

Back to top button