Haradinaj e quan Kurtin "mashtrues"

Haradinaj e quan Kurtin “mashtrues”

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për pjesëmarrje në tryezën lidhur me pandeminë COVID-19. Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka adresuar një sërë kritikash ndaj tij, duke i thënë se “ishte befasuese qasja e tij paranoike, e nxitur nga lufta politike”.

Haradinaj mes tjerash e ka quajtur Kurtin joserioz ,anti-institucional dhe mashtrues, meqë sipas tij “pas një muaji e gjysmë ka ftuar tryezë debati lidhur me pandeminë”.

“Të kujtoheni, që pas më shumë se një muaj e gjysmë gjendje emergjente, të thërrisni tryezë debati lidhur me pandeminë, me akterë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare, është dëshmi e qartë se ju jeni joserioz, anti-institucional dhe mashtrues. Për më tepër, pas shkarkimit me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju nuk e keni as legjitimitetin e nevojshëm për përgjegjësitë që ju pretendoni t’i ndërmerrni në përgjithësi.”, thuhet më tej në letrën e tij.

Dhe në fund Haradinaj ia ka bërë me dije se “me kënaqësi e refuzon ftesën e tij”.

“Përderisa ftesat tuaja janë të vona e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e politik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryezat e tilla”, ka shkruar Haradinaj./21Media