Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka gjykatë në botë që mund të gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët, i lirë në tokën e vet.

Haradinaj tha se shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe atdheut.

“Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato”, ka shkruar ai në llogarinë e tij “Facebook”.

I pari i AAK-së u shpreh se e vlerëson lartë gatishmërinë e presidentit, Hashim Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi. Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./21Media