Menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit, reagoi i pari i AAK-së, Ramush

Haradinaj duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës.

“Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë reservë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai tha se beson fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, “Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”.

Përveç presidentit Hashim Thaçi, aktakuza nga Specialja iu konfirmua edhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe deputetit nga VV-ja, Rexhep Selimi. Në vazhdë të këtyre zhvillimeve, dje ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale dhe është dërguar për në Hagë./21Media