Haradinaj uron mësuesit për 7 Mars

Haradinaj uron mësuesit për 7 Mars

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar shkollën fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet. Pas vizitës, në Facebook Haradinaj ka uruar të gjithë mësimdhënësit me rastin e festës së 7 Marsit. Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se si popull kemi një dashuri të madhe për arsimin.

“Përpjekja për t’i edukuar brezat nisi që në Korçën historike, për të vazhduar ndër vite, me qëllimin më njerëzor, dijen. Sot ky mision vazhdon nga mësimdhënësit tanë, kudo ndër trojet shqiptare. Në ditën e 7 Marsit, mësuesit i nderuam në shkollë Fillore “Hasan Prishtina”, ndër më të mëdhatë në Kosovë, duke i falenderuar për vetmohimin edhe në kohëra të vështira. Misioni do të vazhdojë, tani me kujdesin më të dinjitetshëm institucional. Si popull e kemi një dashuri të madhe për arsimin, prandaj mësuesit po ia kthejmë dinjitetin e nxënësit po ia rrisim dashurinë për dije!”, ka shkruar Haradinaj.

Për nder të kësaj ditë, në Kosovë sot do të ketë aktivitete të ndryshme në çdo shkollë. Ministri Shyqiri Bytyqi do të ndajë çmimin tradicional “Shaban Jashari”.

Më 7 mars 1887 në Korçë ishte hapur mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj kishte qenë Pandeli Sotiri. Kjo ngjarje kishte qenë një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet ishin mbajtur shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë. Kjo shkollë kishte qëndruar e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj kishin qenë figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë/.21Media