Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian duhet të marrë parasysh progresin e bërë nga institucionet vendore për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon këtë të drejtë.

Ajo gjatë një takimi sot me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se misioni evropian ka rol të rëndësishëm në informimin e vazhdueshëm të Brukselit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin e Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Në këtë takim u bisedua edhe për lirinë e lëvizjes, ku shefja e diplomacisë kosovare vuri në pah vonesën e hapjes së urës mbi lumin Ibër, që është pjesë konkluzioneve të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Ndërsa, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, u shpreh se Kosova përkundër sfidave me të cilat është përballur ka arritur të ruajë stabilitetin në vend, duke shënuar progres në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, krahasuar edhe me vendet e rajonit.