Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pasi i shprehu mirëseardhje në Aeroport, ka zhvilluar në Ministri një takim me homologun e saj grek,  Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar tema të rëndësishme për raportet midis dy vendeve, domosdoshmërinë për forcimin dhe avancimin e tyre, sidomos në sferat e interesit të përbashkët, por edhe çështje politike me ndikim në rajon.

“E kuptojmë pozicionin e Greqisë ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është një arsye shtesë përse jemi të interesuar në zhvillimin dhe avancimin e raporteve tona ekzistuese. Natyrisht, ne do të mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e Kosovës, mirëpo jemi të përkushtuar t’i forcojmë raportet eksizstuese, si dhe t’i thellojmë në drejtim të duhur”, i tha Ministrja Haradinaj-Stublla homologut të saj.

Haradinaj-Stublla kërkoi nga homologu i saj që Greqia si një vend me ndikim jo vetëm në rajon, por edhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të ndihmojë qartësinë e objektivit final dhe afatit kohor nën lehtësimin evropian të dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim të zgjidhjes përfundimtare që nuk mund të jetë më pak se njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.

“Marrëveshja e Uashingtonit për Normalizimin Ekonomik me Serbinë e lehtësuar nga SHBA-të dhe Presidenti Trump është një hap i madh drejt zgjidhjes finale. Kjo marrëveshje mbi të gjitha është hap i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit, prandaj si Kosovë jemi të përkushtuar për të përmbushur të gjitha pikat e saj dhe presim që edhe Serbia do të implementojë zotimet e saj karshi SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës”, shtoi Ministrja Haradinaj-Stublla.

Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, Ministri i Jashtëm i Greqisë ka falëndëruar homologen e tij për mikëpritjen e veçantë, si dhe ka mirëpritur angazhimin e shtuar të Kosovës për të zgjeruar dhe shfrytëzuar momentumin politik për rajonin, dhe për dy vendet tona, për të fuqizuar dialogun ekonomik dhe tregtar dhe në veçanti jetësimin e projekteve energjetike sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, që në të ardhmen pritet të jenë edhe një lidhje tjetër e rëndësishme mes Kosovës dhe Greqisë. Ministri poashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë në jetësimin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe në përgjithësi për drejtimin Evropian të Kosovës./21Media