Meliza Haradinaj-Stublla e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur sot zyrtarisht punën si Ministre e Punëve të Jashtme. Para se të shkojë në zyrë ajo është përkulur para memorialit “Heroinat”, ku është zotuar se do kudo në botë do ta thotë të vërtetën e plotë të Kosovës.

Haradinaj-Stublla ka deklaruar se drejtësia e përgjegjësia për plagët e hapura të popullit të Kosovës do të kërkohet pa ndalë.

“Jo rastësisht sot para se të marrë detyrën po e filloj me nderime të memoriali Heroinat, duke u zotuar këtu se e vërteta e plotë e Kosovës, kudo që të jem në bote do thuhet zëshëm. Dhe drejtësia e përgjegjësia për plagët tona ende të hapura do të kërkohet pa ndalë”, ka thënë ajo.

Meliza Haradinaj-Stublla do të drejtojë ministrinë, të cilën deri dje e ka udhëhequr Glauk Konjufca i Lëvizjës Vetëvendosje.

Ajo u vendos në këtë pozitë me marrëveshje politike në qeverinë Hoti, pas rrëzimit të qeverisë që udhëhiqej nga Albin Kurti./kp