Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, sot me rastin e përvjetorit të pavarësisë së ShBA-ve deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mishërim i lirisë, demokracisë dhe madhështisë globale.

Haradinaj-Stublla u shpreh se festa e Pavarësisë së SHBA-ve, është festë edhe e popullit të Kosovës dhe se flamuri amerikan do të valojë përherë mbi shtetin e Kosovës.

“Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë”, u shpreh Haradinaj-Stublla, duke bekuar miqësinë dhe popujt e dy shteteve mike.

Dokumenti i Pavarësisë së ShBA-ve ishte ratifikuar më 4 Korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë./21Media