Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pezulluar të gjitha vendimet të cilat ajo i konsideron jolegjitime të ish-ministrit Glauk Konjufca, por jo edhe ato për kthimin e 14 konsujve nga shërbimi diplomatik.

Haradinaj-Stublla përmes një statusi në Facebook, ka thënë se është e vendosur që të kthejë rendin dhe ligjin në këtë ministri.

“E vendosur që gjatë këtij mandati, përfundimisht të ketë rend, të respektohen parimet ligjore në rotacionin e munguar të diplomatëve, dhe njëkohësisht të ruhet funksionaliteti i Shërbimit të Jashtëm, me datë 30 qershor 2020 kam nxjerrë vendim për pezullimin 7 ditor të të gjitha vendimeve jolegjitime të marra nga ish-Ministri në detyrë. Menjëherë kemi krijuar Komisionin për vlerësimin dhe analizimin e të gjitha vendimeve të ish Ministrit, duke i studiuar ato rast për rast. Bazuar në rekomandimet e këtij komisioni dhe në kompetencat e mia ligjore, kam nxjerrë vendime të reja, duke përmbyllur fazën e parë të rotacionit në Shërbimin e Jashtëm. Pikërisht me synimin e realizimit të parimit ligjor të procesit të rotacionit “një në Shërbim, një në Ministri”, është vendosur që nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore këtë vit të kthehen në MPJD pesëdhjetë (50) diplomatë të karrierës. I gjithë procesi do të përfundoj për pak javë meqë kemi filluar edhe fazën e dytë të rotacionit, për të cilën Komisioni po vazhdon punën në propozimet, intervistimet dhe konsultimet për dërgimin në misione diplomatike dhe konsullore ata anëtarë të Shërbimit të Jashtëm që i plotësojnë kushtet për t’u dërguar në mision jashtë vendit. Me këto vendime përveç kthimit të ligjshmërisë dhe parandalimit të defunksionalizimit të Shërbimit të Jashtëm, po ashtu kam qartësuar gjendjen juridike, e cila rrezikonte shkaktimin e dëmit eventual të pariparueshëm për MPJD-në. Ritheksoj që asnjëherë, gjatë këtij procesi pjesë e vendimeve të pezulluara dhe vendimeve të nxjerra, NUK JANË vendimet e katërmbëdhjetë (14) konsujve të shkarkuar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.