Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në lidhje me ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ku kërcënoi serbët të cilët tregojnë varret e viktimave shqiptare të varrosura në Serbi gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas saj, këto veprime të Serbisë janë të turpshme.

Në letrën e saj Haradinaj po ashtu ia ka rikujtuar QUINT-it se Kosova pret drejtësi për 13 mijë viktimat e vrara në luftë, përfshirë këtu gra, pleq e fëmijë.

“Kjo është letra ime për ambasadorët e QUINT-it për veprimet e fundit të turpshme të qeverisë serbe karshi viktimave Kosovare-Shqiptare të luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Twitter.

Në lidhje me këtë veprim të ministrit serb ka reaguar edhe kryetarja e vendit, Vjosa Osmani si dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku./Media