Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla iu ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që në çdo forum të përfaqësohen me simbole shtetërore.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kryediplomtja e Kosovës ka thënë se janë vërejtur tendenca që në forume të ndryshme të shmangin paraqitjen e simboleve shtetërore.

“Kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme, zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar t’a shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare. Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nuk janë çështje dëshirore! Edhe Marrëveshja e Brukselit për Përfaqësim dhe Bashkëpunim rajonal nuk e ndalon përdorimin e simboleve, përkundrazi – prandaj emri i Kosovës duhet të jetë i barabartë me të gjitha emrat tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe në rast përdorimit të simboleve të shteteve tjera, organizatorët e takimeve janë të obliguar t’i vendosin edhe simbolet e Republikës së Kosovës, në linjë dhe me qëllimin e përfaqësimit të barabartë të Republikës së Kosovës. Por, kjo nuk do të ndodhë pa kërkuar ne, apo pa respektuar ne veten dhe qenësinë e shtetit tone”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.