Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla, të hënën zhvilloi një bisedë telefonike produktive me Ministren e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide.

Haradinaj-Stublla tha se Kosova është falenderuese ndaj Norvegjisë për përkrahjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.

“Në thirrjen e sotme telefonike me Ministren e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë Ine Eriksen Søreide kërkova përkrahjen për finalizimin e procesit të Liberalizimit të Vizave me zonën Schengen ku Norvegjia bën pjesë, dhe gjeta mbështetjen e plotë për këtë proces“, tha shefja e diplomacisë së Kosovës.

Gjatë bisedës, homologet shkëmbyen pikëpamje edhe rreth dialogut për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë dhe u dakorduan që aspirata evropiane do të duhej të jetë katalizator për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë./21Media